Ministria e Punëve të Jashtme i ka proceduar për nënshkrime në ministritë përkatëse 13 marrëveshjet me Qeverinë e Shqipërisë, të cilat i janë dërguar sot nga Qeveria e Shqipërisë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Kosovës i janë dërguar 13 marrëveshjet të nënshkruara dhe pas kësaj, ai pret që homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, të konfirmojë takimin e paraparë të mbahet më vonë gjatë ditës.
Ministria e Punëve të Jashtme tha sot se 13 marrëveshjet i janë proceduar ministrave të linjave dhe të njëjtat pritet të nënshkruhen së shpejti.
“Marrëveshjet tashmë të nënshkruara nga anëtarët e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do t’iu dërgohen për nënshkrim ministrive përkatëse të Republikës së Kosovës, në mënyrë që pasi të hyjnë në fuqi të fillojë sa më parë implementimi i tyre”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për Paparacin.
Ministria e udhëhequr nga Donika Gërvalla ka thënë se marrëveshjet kanë mbetur pa u nënshkruar për shkak të refuzimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama për mbajtjen e mbledhjes mes dy qeverive disa javë më parë.
“Lidhur me pyetjet e juaja, ju njoftojmë se kemi pranuar Notën Verbale, përmes së cilës na janë dërguar marrëveshjet e parapara për nënshkrim në takimin mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, tha MPJD-ja.
“Marrëveshjet janë të negociuara që më herët dhe të gatshme për nënshkrim, por meqenëse KM Edi Rama në mënyrë të njëanshme dhe një ditë para mbledhjes së planifikuar ka refuzuar mbajtjen e takimit të përbashkët të dy qeverive tona, atëherë këto marrëveshje kanë mbetur deri tani pa u nënshkruar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Jashtme.
Rama do të qëndrojë në Kosovë të enjten në kuadër të një turi dyditor ballkanik që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur samitin e Procesit të Berlinit.
Gjatë ndalesës së parë të këtij turi, Rama deklaroi në Shkup që “unë kam akoma shpresë që Albini nuk e ka harruar Kanunin që kur të vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera. Është e ndaluar ta nxjerrësh deri kur ai të mbarojë fjalën”.
Më 5 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i propozoi Ramës një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive, dhe me atë rast të nënshkruhen marrëveshjet “që janë të dakorduara që janë në sirtarë dhe në këtë mënyrë t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”.
“Për mua është e nevojshme që ta kemi mbledhjen e dy qeverive. Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam thënë për takime të ne të dyve. Ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë, ne takohemi shumë shpesh, nëse shikoni gjatë këtyre më shumë dy vjetëve sa jemi në qeverisje, i kam një duzinë takimesh me kryeministrin Rama. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia e paqja në Ballkan pse nuk takohen, kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm”, tha Kurti.