Një numër profesorësh kanë kundërshtuar vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës që ia ndalon stafit akademik angazhimin në kolegje private.
Katër profesorë të Fakultetit të Mjekësisë, Naser Ramadani, Sefedin Muçaj, Kreshnike Dedushi e Serbeze Kabashi dhe tre profesorë të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Armend Shabani, Eliot Bytyqi dhe Ermir Rogova, vendimin e kanë dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Përfaqësuesi ligjor i profesorëve arsyetoi paditë e bëra në dy departamente të ndryshme.
“Ligji për Arsimin e Lartë i barazon, pra i konsideron si të njëjta, si ekuivalente kolegjet private me universitete publike dhe nuk lejohen standarde të dyfishta vetëm për nga statuti i asaj që universiteti konsiderohet publik. Për më tepër, siç e ceka edhe në hyrje, ky vendim ndan në dy grupe profesorët, ata të cilët lejohen përkohësisht pranë një punëdhënësi publik dhe ata që lejohen të angazhohen përkohësisht me punëdhënësin privat. Për këto dy grupe ka vendosur standarde jo të njëjta”, ka thënë Ilir Rugova, përfaqësues ligjor i paditësve.
Por, Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore të Prishtinës e ka shpallur veten jokompetent për ta trajtuar lëndën. Në aktvendimin e siguruar nga KOHA, pala është udhëzuar që shkresat e padisë t’i dërgohen Departamentit për Çështje Administrative.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm, shpallet jokompetente në pikëpamje lëndore për të vendosur në çështjen juridike kontestimore sipas padisë së paditësve C.nr.5063/23, e datës 12.09.2023. Pas plotfuqishmërisë së këtij aktvendimi, shkresat e kësaj lënde t’i dërgohen Departamentit për Çështje Administrative të Gjykatës Themelore në Prishtinë, si gjykatë me kompetencë lëndore për të vendosur lidhur me çështjen”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Avokati Rogova tha se është ankuar për aktvendimin e departamentit të përgjithshëm.
E, në Rektorat insistuan se vendimi duhet të zbatohet në tërësi.
“Vendimi i Këshillit Drejtues është i qartë dhe në fuqi, prandaj është detyrim institucional që ta zbatojmë në tërësi dhe pa dallim. Kësisoj, ne presim që do të zbatohet”, thuhet në një përgjigje të rektoratit të UP-së.
Në Rektorat nuk treguan nëse kanë informacione që profesorët të cilët kanë qenë të angazhuar në kolegje private, i kanë ndërprerë ose jo kontratat me to. E, burime të kohës treguan se së paku pesë profesorë të UP-së kanë ende kontrata edhe me UP-në e edhe me kolegje private.
Sipas vendimit të UP-së, profesorëve u lejohet angazhimi jo i plotë në institucione publike me leje të dekanit dhe Rektorit.
“Angazhimi në marrëdhënie punësimi të kufizuar në pajtim me nenin 170 të Statutit dhe këtë vendim, në një institucion publik të arsimit të lartë jashtë UP-së mund të bëhet pas njoftimit të Dekanit të njësisë akademike dhe Rektorit të universitetit”, shkruan në neni 9 të vendimit për përcaktimin e ngarkesës në punë dhe angazhimet në institucione e ndërmarrje publike apo private, vendore apo ndërkombëtare, brenda apo jashtë vendit. Dispozita nuk vlen për angazhimin jo të plotë të profesorëve në kolegje private.