Rashit Qalaj, ish-drejtor i Policisë së Kosovës, ka fajësuar KFOR-in dhe AKI-në për dështimin në parandalimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Në emisionin DPT te Fidani, ai tha se KFOR-i është përgjegjës për kufirin me Serbinë, dhe se ky rast është dështim i madh nga ana e tyre, shkruan Reporteri.net.
“Me gjithë respektin që e kam për forcat e KFOR-it, duke e ditur që janë përgjegjës për kufirin, është një dështim mjaft i madh i tyre. Dhe ata i kanë mundësitë teknike shumë më të avancuara”.
Ndërsa për AKI-në, tha se parandalimi i rreziqeve është edhe detyrë primare, ndaj të njëjtit duhet të kenë pasur informacione se çka po ndodh.
“Konsideroj se është dështim edhe i Agjencionit të Inteligjencës. Se ata e kanë qet punë. Ata e kanë punë që t’i parandalojnë rreziqet ndaj Kosovës dhe është dashtë ta kenë informatën për këtë që ka ndodh”.
“Policia e Kosovës e ka Drejtorinë për inteligjencë mirëpo ajo është inteligjencë kriminale, me marrë informata për rastet që kanë ndodh, për grabitjet, për vrasjet, dhe nëse munden edhe informata të tjera. Mirëpo, kur Policia e Kosovës t’i përfundojë hetimet, do ta dinë saktë se kur kanë hy [terroristët], e si kanë hy”.
Qalaj bëri thirrje që ky dështim të merret si mësim për hera të tjera.
“Edhe KFOR-i, edhe AKI-ja edhe Policia duhet të jenë shumë shumë të kujdesshëm. Ta shohin se si ka dështu kjo punë, si kanë hy ato armë, të nxjerrim mësimet se çka u bo që s’patën informacion”, tha ai.