Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën në mbledhjen e vet Ligjin për reformat pensionale që siguron se punëtorëve të viteve të 90’ta do t’iu njihen kontributet. Nga ky ndryshim pritet të përfitojnë rreth 70 mijë punëtorë të larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90’ta.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se po i vjen fundi një padrejtësie.
“Ky projektligj është në linjë me premtimin tonë për trajtimin e barabartë për të gjithë dhe rritje të mirëqenies sociale. Përmes tij do të adresojmë çështjet e pabarazisë disavjeçare për mosnjohje të së drejtës pensionale në skemën e pensioneve kontributpagues për një numër të madh të pensionistëve të cilët nuk përmbushin kriterin prej 15 vitesh në ish-sistemin pensional. Me vendosjen e këtij sistemi, ishte bërë një prerje e menjëhershme mes dy formave të rregullimit pensional, duke bërë një tranzicion nga sistemi i gjeneratave në atë të vetfinancimit e dukë lënë anash një gjeneratë të tërë.”, tha Kurti.
Ministri i Financave, Hekuran Murati është shprehur se kjo ka qenë një padrejtësi e madhe të cilës po i vjen fundi. Ai shtoi se të larguarve nga puna do t’iu numërohet stazhi i punës deri më 1 janar të vitit 1999.
“Ka pasur një diskriminim në aspektin që është mbajtur pragu për 15 vite stazh pune por nuk është marrë parasysh heqja e dhunshme nga puna. Si rezultat i largimit të dhunshëm kanë mbetur shumë persona që kanë kontribuar mbase 14 vite e 11 muaj, por s’kanë arritur ta plotësojnë kushtin. Ne po e zhbëjmë këtë diskriminim sepse do t’iu mundësohet që për periudhën prej kur janë larguar nga puna e deri në 1 janar 1999 t’u llogaritet drejt plotësimit të kushtit prej 15 vitesh dhe pastaj lartësia e pensionit përcaktohet në bazë të viteve. Për më tepër, periudha ose kushti prej 15 vitesh kemi dashur ta ruajmë si qeveri, në mënyrë që ta ruajmë edhe pretendimin sa i përket fondit pensional ku kanë kontribuar qytetarët tanë.”, tha ministri Murati.
Sipas tij, rreth 70 mijë persona kualifikohen si përfitues nga ndryshimi i këtij ligji.
“Njëkohësisht më duhet të them edhe disa statistika nga databaza. Nga ky ndryshim teorikisht parashihet të përfitojnë, janë 104 mijë persona që do të plotësonin kushtin për të përfituar nga ky ndryshim-plotësim i ligjit dhe duhet të marrim parasysh se disa mund të kenë ndërruar jetë e disa mund të mos e kenë arritur moshën e pensionimit, andaj vlerësimet tona janë se në skemën e pensionit bazik janë rreth 70 mijë që marrin nga pensioni bazik por që do të duhej të kualifikoheshin për pensionin parcial kontributpagues të moshës.”, tha Murati.
Murati gjithashtu ka bërë të ditur se si ndikim buxhetor, kuletës së shtetit ky ndryshim do t’i kushtojë 60 milionë euro në vit. Ndërsa në 50 vitet e ardhshme do t’i kushtojë shtetit rreth 1.3 miliardë euro.
“Si ndikim buxhetor kemi vlerësuar që për 1 vit të plotë të jetë rreth 60 milionë euro që duhet të përfshihen brenda kufijve buxhetorë. Ndërsa me programin e ri që e kemi qoftë me bankën botërore apo me FMN-në parashihet që me udhëzimin e ri administrativ në fuqi të bëjmë llogaritjen edhe të ndikimit financiar në politika sociale deri në 50 vite. Ndikimi i kësaj skeme parashihet të jetë 1.3 miliardë euro në tërësi. Kjo ka ndikim të madh buxhetor, por marrë parasysh drejtësinë që duam të vëmë në vend, duhet ta bëjmë me patjetër. Shpresoj e uroj që koha që kemi të mos na paraqesin probleme logjistike meqenëse bëhet fjalë për një numër të madh të qytetarëve. Shpresoj në mirëkuptimin e tyre.”
“Shpresojmë që edhe Kuvendi t’i marrë masat e nevojshme.”, tha Murati më tutje.