Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se pas pak do të niset drejt Shkupit, ku do të fillojë vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër, ai tregoi se sot në mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive “të firmosura nga ana jonë”.
Ai shtoi se në momentin kur të njëjtat nënshkruhen edhe nga pala kosovare, ato hynë menjëherë në fuqi.
Prandaj, Rama shpreson që “pas heqjes së merakut” të shprehur nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti, për qytetarët e penguar që të përfitojnë nga këto ujdi, të takohen pasdite së bashku në Prishtinë.
“Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë menjëherë në fuqi”, shkroi Rama në Twitter.
Pas pak drejt Shkupit për të nisur vizitën dyditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor. Sot të mëngjes janë dorëzuar në ministrinë e jashtme në Kosovë të 13 marrëveshjet e mbledhjes së dy qeverive të firmosura nga ana jonë. Me kundërfirmosjen e palës kosovare ato hyjnë… pic.twitter.com/JWrnpegYoI
— Edi Rama (@ediramaal) July 6, 2023
“Mbetem me shpresë se pas heqjes së merakut të shprehur publikisht nga KM Kurti për qytetarët e penguar të përfitojnë nga 13 marrëveshjet, do të kemi edhe konfirmimin e takimit me Albinin sot pasdite”, shtoi ai.
Ende nuk dihet nëse Rama do ta takojë Kurtin gjatë ditës së sotme. Kurti dje është pyetur nga gazetarët në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, pikërisht për këtë çështje.
Ai ka thënë se nëse Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë nuk do të ketë takim mes dy kryeministrave.
“Nëse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem te qëndrimi që ia kam dhënë, se për takime të ne të dyve, ne kemi kontakt të drejtpërdrejtë, ne takohemi shumë shpesh, nëse shikoni, gjatë dy vjetëve që jam në qeverisje i kam një duzinë takimesh me kryeministrin Rama. Nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia, paqja e siguria në Ballkan pse nuk takohet kryeministri i Kosovës me atë të Shqipërisë, por për shkak se mbledhjet e të dy qeverive tona janë anuluar paarsyeshëm. Andaj, unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo edhe takime të tjera”, tha Kurti.