Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka reaguar pas një sërë kritikash ndaj tij për vendimin që ta dërgojë një draft të Statutit të Asociacionit në Francë e Gjermani, si një përpjekje për të ulur tensionet e rritura mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas Ramës, ata që shajnë e akuzojnë pa e ditur përmbajtjen e propozimit të tij e kanë një frikë.
E kjo frikë, sipas kryeministrit shqiptar, është humbja e armikut dhe bashkë me të edhe humbja e mundësisë që flasin e sillen si në llogore edhe 24 vjet pas luftës.
“Ata që shajnë e akuzojnë pa e ditur fare çka përmban draft-Statuti i Asociacionit kanë frikë vetëm nga një gjë: Se mos humbasin armikun që u krijon kushtin ekzistencial që të flasin dhe të sillen si në llogore, ndërkohë që lufta ka mbaruar në 1999 dhe armiku është mundur!”, ka shkruar Edi Rama.
Ata që shajnë e akuzojnë pa e ditur fare çka përmban draft-Statuti i Asociacionit kanë frikë vetëm nga një gjë: Se mos humbasin armikun që u krijon kushtin ekzistencial që të flasin dhe të sillen si në llogore, ndërkohë që lufta ka mbaruar në 1999 dhe armiku është mundur!
— Edi Rama (@ediramaal) June 9, 2023
Për këtë çështje është deklaruar edhe Bashkimi Evropian. Në një përgjigje për Gazetën Express, zëdhënësi Peter Stano ka thënë se draftimi i asociacionit bëhet vetëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Unioni.
Siç është thënë edhe shumë herë më parë, diskutimi dhe hartimi i Statutit të Asociacionit/Bashkësisë mund të bëhet vetëm në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.
Megjithatë, Stano tha se kontributet i mirëpresin, derisa njoftoi që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, është në kontakt të vazhdueshëm me liderët e rajonit dhe të vendeve anëtare të BE-së.
“Çdo kontribut konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, nën të cilin po diskutohet për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, është i mirëseardhur”.