Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar ngrirjen e raporteve me Serbinë, nëse policët e rrëmbyer kosovarë nuk do të lirohen brenda javës.
Ai, në një adresim në rrjetet sociale të hënën, tha se mbajtja e tre policëve në burgjet serbe nënkupton “rikthimin e akullit mes nesh”.
“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen”, u shpreh Rama.
Rama i ka bërë edhe një herë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të plotësojë kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë për de-eskalim të situatës në veri.
“Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës”, tha Rama.
Ai tha se kryeministri Kurti duhet të dal nga “guaska e vet izolimit”.
“Albin dil nga guaska e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!”, shkroi Rama.