Pas njoftimit të Gjykatës Themelore në Pejë se ka urdhëruar lirimin e 75 vilave të konfiskuara nga shteti në rastin e njohur si “Brezovica” ka reaguar prokurori i rastit Rasim Maloku.
Në një prononcim për Gazetën Insadjeri ai tha se do të dërgojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Vendimin e Gjykatës nuk e komentojmë. Ne do të dërgojmë ankesë në gjykatën e apelit”, tha ai duke bërë thirrje që të lexohet neni 542 të KPP’së, versioni i ri.
Gjykata ka hedhur poshtë kërkesën e prokurorit të rastit, Rasim Maloku, për caktim të masës së sigurisë për vilat e sekuestruar duke e quajtur si gabim të prokurorit.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti.
“Gjyqtari i procedurës paraprake e hodhi si të pa afatshme kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar. Të njëjtat është urdhëruar që të lirohen”, ka njoftuar ajo.
Shkak për hudhje poshtë të kësaj kërkese ishte gabimi i prokurorit Maloku, i cili dorëzoi kërkesën pas afatit të caktuar nga gjykata.
75 vila në Brezovicë, Zonën e Dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”, ishin konfiskuar në nëntor të vitit të kaluar me urdhër të Gjykatës në Pejë.
Prokuroria kishte pritur rreth gjashtë muaj për të parashtruar kërkesën për masë të sigurisë për pronat e sekuestruara, ndonëse ligji parasheh afat prej 60 ditësh për të njëjtën. /Insajderi.org/