Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka reaguar për sulmet e protestuesve serbë ndaj KFOR-it në veriun e Kosovës.
Tre ushtarë të KFOR-it italianë janë në gjendje të rëndë pas trazirave në Zveçan.
Melon ka thënë se sulmet ndaj KFOR-it nuk do të tolerohen më tej, teksa ka treguar për lëndimet e ushtarëve të KFOR-it në Kosovë.
Por ajo ka kërkuar edhe nga Qeveria e Kosovës që të mos ndërmarrin veprime të njëanshme.
”Në emrin tim dhe në emër të Qeverisë shpreh ndjenjat e mia më të sinqerta të afërsisë me ushtarët italianë të plagosur gjatë trazirave në Kosovë. Shpreh gjithashtu dënimin tim më të fortë për sulmin që u bë kundër misionit të KFOR-it, ku përfshiheshin edhe ushtarë nga kombet e tjera. Kjo që po ndodh është absolutisht e papranueshme dhe e papërgjegjshme”, ka thënë ajo.
”Ne nuk do të tolerojmë sulme të mëtejshme ndaj KFOR-it. Është thelbësore që të shmangen veprimet e mëtejshme të njëanshme nga autoritetet kosovare dhe që të gjitha palët e përfshira menjëherë të bëjnë një hap prapa, duke kontribuar në zbutjen e tensioneve. Angazhimi i qeverisë italiane për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është maksimal dhe ne do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë. Konfirmoj afërsinë time me ushtrinë italiane dhe mirënjohjen e fortë të qeverisë për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe shpirtin e lavdërueshëm të shërbimit që ata tregojnë në të gjitha rrethanat”, ka deklaruar kryeministrja e Italisë.