Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, ka thënë se çfarëdo lloj statuti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Në një intervistë për transmetuesin publik, diplomati gjerman ka thënë se palët janë larg arritjes së konsensusit për Asociacionin.
“Jemi shumë larg në kuptimin e natyrës së Asociacionit, megjithatë Gjermania do të vazhdojë të mbështesë implementimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që janë pranuar dhe nënshkruar në Bruksel, po ashtu që të mbështesim Kosovën. Gjithmonë e kemi thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha Rohde.
Sipas tij, politikanët duhet të punojnë të realizimin e atyre marrëveshjeve në mënyrë që të arrihet ajo që të gjithë e duam – stabiliteti dhe paqja.
“Tani kemi një situatë kur ende kemi struktura paralele, i gjithë qëllimi i Asociacionit është që të sjellë strukturat paralele në kuadër të legjislacionit të Kosovës”, theksoi ai.
Diplomati gjerman ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lirimin nga detyra të anëtarëve të ekipit menaxhues për statutin e Asociacionit, duke thënë se vendimi i sotëm nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit.