Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kritikuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Për këtë ai ka fajësuar Qeverisë e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare.
“Vitin e kaluar e rritën mbi 100% çmimin e energjisë elektrike. Megjithatë, kësaj qeverie, që simbol të saj e ka sekserin e tregëtisë me energji, Martin Berishajn, nuk u mjaftoi kjo. Dje, çmimin e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët tanë e rritën edhe për rreth 15 %. Ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare, të cilat, në këtë periudhë të krizës dhe ngritjes së të gjitha çmimeve të tjera, po varfërohen çdo ditë e më shumë. Në këto dy vjet, përmes të gjitha veprimeve të saj, kjo Qeveri vetëm sa e ka rritur koston e jetesës për qytetarët e Kosovës, duke keqkuptuar dhe keqpërdorur në thelb misionin e saj”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, me këtë qeverisje ikja e qytetarëve nga Kosova do të shënojë rekorde të reja.
“Një gjë është e sigurt: me këtë lloj qeverisjeje, e cila po vështirëson dhe rëndon jetën e qytetarëve në çdo aspekt, numri i atyre të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja. I indinjuar thellësisht me këtë kaos qeverisës, i cili po e kërcënon në vazhdimësi mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin e shtetit tonë. Mjaft më!”, ka vlerësuar Krasniqi.