Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, pas zhvillimeve të fundit në Kosovë.
Ai tha se Kosova duhet që të depërshkallëzojë situatën dhe të mos ndërmarrë hapa destabilizues.
“Kam folur me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth Kosovës. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja tani, si mënyra e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të depërshkallëzojë dhe të mos marrë hapa të njëanshëm dhe destabilizues. Misioni i NATO-s, KFOR, do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të sigurt”, ka shkruar ai në Twitter.
Ndryshe, aleanca ushtarake e NATO-s edhe dje i bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të shtensionojnë menjëherë situatën në veri të shtetit, pas përplasjeve mes Policisë së Kosovës dhe grupeve lokale të serbëve.
“Ne u bëjmë thirrje institucioneve në Kosovë të shtensionojnë menjëherë situatën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të zgjidhin situatën përmes dialogut. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë vigjilent dhe të ofrojë mjedis të sigurt”, shkroi në Twitter, zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
Më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, me asistimin e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, për të nisur punën, pasi një ditë më parë bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale.
Hyrja e tyre në zyrat e komunave u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë. Policia e Kosovës ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre. Të paktën pesë policë pësuan lëndime.
Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensionet.