Tensionet në katër komunat veriore, pas zgjedhjeve që u bojkotuan nga popullata me shumicë serbe në atë zonë kanë kulmuar të hënën kur KFOR-i ndërhyri në Zveçan par të shmangur përplasjet.
Përveç kryetarëve të rinj, të cilët tashme janë cak i kanosjeve, e ofendimeve, edhe zyrtarët e tjerë të zgjedhur në këto komuna siç duket po përballen me raste të tilla
Nënkryetarja e Komunës së Leposaviqit, ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të provokimeve e kërcënimeve që po merr që nga dita kur ka marrë këtë pozitë.
Dragana Miletiq ka raportuar se persona të maskuar po sillen afër banesës se saj, në orët e mbrëmjes, duke i shkaktuar frikë për sigurinë e saj.
Për të mos mbaruar me kaq, Miletiq ka raportuar se ka marrë mesazhe kërcënuese edhe nga një zyrtar i komunës se Zveçanit.
Sipas informacioneve të para, ai dyshohet ta ketë paralajmëruar se do ta pësojë keq, duke i thënë se “kam me ta hap krytë edhe e sheh ti…”.
Bazuar në dëshminë e dhënë në Polici, kanosjet ndaj saj po vazhdojnë prandaj e njëjta i ka raportuar këto raste.
Pas dhënies së deklaratës dhe përfundimit të procedurave të tjera, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale “Kanosje”.