Departamenti amerikan i Shtetit (DASH), i bëri thirrje të shtunën presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Sipas DASH, policët kosovarë po mbahen në burg në Serbi nën akuza të rreme.
Zëdhënësi i DASH-it, Matthew Miller, përmes një deklarate për media tha se “arrestimi dhe ndalimi i tyre me akuza të rreme, ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”.
“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiq dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar situatën tashmë të tensionuar”, tha Miller.
Departamenti i Shtetit u bëri thirrje të shtunën Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të Bashkimit Evropian për uljen e tensioneve dhe t’i “të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.
“Ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha ai.