Është nënshkruar marrëveshja për pranim-dorëzimin e donacionit me dronë për Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.
Shtatë dronë të financiar nga qeveria amerikane i janë dhuruar Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës.
Donacioni është projekt i Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë dhe është nënshkruar sot nga ambasadori i ShBA-ve në Prishtinë, Jeffrey Hovenier dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Drejtori Hoxha tha se dronët, përveç operacioneve të përgjithshme, do të përdoren edhe për monitorimin e kufijve të Kosovës.
“Është një donacion i nevojshëm për Policinë e Kosovës, i cili do të ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve të policisë dhe do të ndikojë për menaxhimin e situatave në terren, si në aspektin e koncerteve, protestave, manifestimeve publike po ashtu në monitorimin e kufijve të Kosovës dhe në operacionet e tjera të hetimeve të cilat Policia e Kosovës do t’i kryejë”, tha drejtori Gazmend Hoxha.