Antony Blinken, shefi i diplomacisë amerikane i ka kërkuar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq që ta ndryshojë vendimin e marrë për ta vënë ushtrinë në gjendje gatishmërie dhe që t’iu kërkojë serbëve në Kosovë të mos e sfidojnë KFOR-in me dhunë. Pavarësisht kësaj, në Beograd KFOR-i po kritikohet dhe edhe pas thirrjes së Sekretarit të Shtetit, Vuçiq ka vendosur ta mbajë ushtrinë në gatishmëri për luftë.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, në një reagim pas mesnate, ndërsa situata mbetet e tensionuar në veri të vendit.
Kryediplomati amerikani pati kërkesa specifike edhe për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e vendosi ushtrinë në gjendje gatishmërie pasi kryetarët e rinj shqiptarë të zgjedhur u futën brenda objekteve komunale në katër komunat veriore.
“Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që ta ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”, tha Blinken në një deklaratë të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit.