Shtëpia e Bardhë ka dalë me njoftimet për bisedimet që zëvendëskëshilltari për Sigurinë Kombëtare të SHBA-së, Jon Finer, ka zhvilluar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Në të dyja bisedat që ka bërë, Finer u ka kërkuar të dyve që të ndërmarrin hapa që ndihmojnë në depërshkallëzimin e situatës.
Finer i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që t’iu mundësojë kryetarëve të zgjedhur të komunave që të kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative dhe të tërheqë forcat policore nga ndërtesat komunale.
“Ai gjithashtu mirëpriti gatishmërinë e Kurtit për të punuar drejt kushteve për zgjedhje të reja”.
Kurse, nga Vuçiqi SHBA-ja pret që të tërheqë forcat e saj të stacionuara afër kufirit me Kosovën.
“Ai i kërkoi Qeverisë së Serbisë që të tërheqë forcat e saj të armatosura të stacionuara afër kufirit dhe të ulë gjendjen e gatishmërisë, si dhe t’u bëjë thirrje protestuesve që të jenë paqësorë në veri të Kosovës”.
Finer ka përsëritur për të dytë se SHBA-ja pret nga të dyja palët që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen e normalizimit të arritur në Bruksel dhe në Ohër.