Gjykata Supreme, ndonëse instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë, nuk është gjithmonë e pagabueshme në mendimet juridike që i nxjerr, e që të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në legjislacion.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka miratuar një rregullore për evidencën penale, të cilën e ka bazuar në një mendim juridik të Gjykatës Supreme i cili ishte bazuar në versionin serb të Kodit Penal.
Një prej mendimeve juridike të cilat i nxjerr Gjykata Supreme ishte pikërisht ai i 7 Nëntorit të vitit që shkoi, mendim i cili u mor për bazë në miratimin e rregullores së evidencës penale.
Në njërin prej segmenteve të këtij dokumenti, përcaktohet se në certifikatën e evidencës penale duhet të figurojnë edhe dënimi me gjobë e vërejtja gjyqësore.
Me Kodin Penal në fuqi parashihet se pasojat juridike të dënimit nuk krijohen kur kryesit i shqiptohet gjoba apo vërejtja gjyqësore.
Këtë e thotë versioni i ligjit në fjalë i shkruar në gjuhën shqipe, megjithatë gjykata supreme përmes këtij vendimi në mënyrë shprehimore i jep besën versionit serbisht të këtij ligji.
“..Në certifikatat e gjendjes penale duhet të shënohen edhe dënimi me gjobë dhe vërejtja gjyqësore, të shqiptuara me aktgjykim të formës së prerë, nëse të njëjtat nuk janë shlyer nga evidenca penale brenda afateve të përcaktuara me ligj, përkatësisht me nenin 96, paragrafin 2 të KPRK. (Verzionet në gjuhën serbe dhe boshnjake).”
Versioni serbisht i këtij ligji është versioni i vetëm i cili e përmend dënimin me gjobë në shlyerjen e dënimeve pas tre vitesh.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës në ditën e parë të muajit përmbyllës të vitit që shkoi ka miratuar Rregulloren për evidencën penale të cilin ndër tjerash e ka mbështetur pikërisht në mendimin juridik të Gjykatës Supreme.
“Në mbështetje të nenit 7, paragrafi 1, nën-paragrafi 1.21 te Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës dhe nenit 96, 97 dhe 98 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mendimit Juridik të Gjykatës Supreme me numër GI.A-Su.A 230/2022 të datës 7 nëntor 2022, në mbledhjen e mbajtur me datën 24 nëntor 2022” lexohet në hyrjen e kësaj rregullore.
Përmes kësaj rregullore mund të vërejmë jo vetëm se gjykata supreme ka dhënë një mendim i cili bie në kontradiktë me ligjin penal në fuqi, por njëkohësisht del në pah fakti se në mes të versionit shqip dhe atij serbisht të këtij ligji ekzistojnë dallime substanciale.
Në këtë rast lind dilema e barrës së përgjegjësisë për dallimin në përkthim në mes të versioneve të kodit penal.
Sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës kjo përgjegjësi bie pikërisht mbi Kuvendin.
“…Dallimi në përkthim i këtyre Kodeve, është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës dhe deri më tani nga i njëjti nuk është marrë ndonjë veprim konkret për përmirësimin e kësaj gjendje.” – thuhet në përgjigjet e KGjK-sw pwr KALLXO.com.
Sipas KGJK, deri më tani nuk ka ekzistuar një praktikë e unifikuar e procesit të Rehabilitimit të dënimeve me gjobë dhe Gjykata Supreme me mendimin juridik në fjalë ka tentuar të bëjë një zgjidhje.
Për KALLXO.com, KGjK gjithashtu tha se ka ekzistuar një vakum ligjor të cilin Gjykata Supreme ka tentuar të rregullojë si dhe ka përmendur faktin se Kodi i Penal nuk ka trajtuar në mënyrë të duhur çështjen e tillë, kështu duke zhvendosur fajin tek organi ligjvënës.
“Me qëllim të adresimit të disa prej çështjeve te cilat nuk ishin trajtuar nw mënyrë tw duhur me Kodin penal te Kosovës, Gjykata Supreme e Kosovës, me datën 07.11.2022, kishte nxjerrë Mendimin Juridik Nr. 230/2022, me anë te të cilit ishin trajtuar disa prej çështjeve nga të cilat varej edhe procesi i mëtejmë i konsolidimit të SEPK-së” – tha KGJK për KALLXO.com.
Mirëpo, vlen të përmendet se zbatimi i ligjeve më të favorshme në raste të zbrazëtirave ligjore përbën një prej parimeve themelore në drejtësinë penale në Kosovë e që përcaktohet me nenin e tretë të Kodit Penal.
Në vazhdim, Këshilli Gjyqësor në 20 Qershor të këtij viti ka nxjerrë Rregulloren për plotësimin dhe ndryshimin e rregullores bazë, e që në këtë dokument nuk e ka përfillur më mendimin juridik të Gjykatës Supreme në të cilin ishte bazuar paraprakisht.
Përmes këtij dokumenti, KGjK ka shtuar një nen me të cilin ka tentuar të rregullojë kontradiktën ligjore në rregulloren bazë përmes riformulimit të nenit kritik, përkatësisht nenit 26.
Me versionin më të fundit të rregullores, paragrafi 5 i këtij neni është riformuluar në atë formë që përcaktohet se dënimet të cilat nuk krijojnë pasoja juridike.
“Në certifikatën për dënimet penale, nuk pasqyrohen dënimet të cilat nuk krijojnë pasoja juridike sipas dispozitave të nenit 93 paragrafit 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”
Pra si rezultat vërejtja gjyqësore dhe dënimi me burg nuk evidentohen më në certifikatat e evidencës penale.
Mirëpo, për shtatë muajt që ishte në fuqi, rregullorja në fjalë ka shkaktuar një mal me probleme tek qytetarët e Kosovës.
I dëmtuar direkt nga kjo, ka qenë një qytetar i cili përmes avokates së tij ka rrëfyer përjetimin e tij.
Për veprën penale të cilën ai ka kryer është dënuar me dënim me gjobë.
I njëjti ka nxjerrë certifikatën e të kaluarës kriminale e cila ka qenë e pastër dhe nuk ka figuruar dënimi i lartcekur.
Por, gjashtë muaj më pas, me rastin e nënshkrimit të një tenderi të cilin ai e kishte fituar, i njëjti ka mbetur peng për shkak se me nxjerrjen e certifikatës së përditësuar të evidencës penale, në të njëjtin dokument ka figuruar dënimi i cili gjashtë muaj më parë nuk ka figuruar.
Në rast se deri tani kanë ekzistuar dy versione të ndryshme të ligjit të njëjtë penal dhe është përdorur analogjia e zbatimit si tek Mendimi Juridik i gjykatës supreme, atëherë nuk ka asnjë lloj sigurie se qytetarët e përballur me drejtësinë penale deri më tani janë dënuar me versionin e kodit penal i cili është më i favorshëm për ta.
Këtë situatë e ka konfirmuar edhe KGJK-ja sipas të cilës “çështja e shlyerjes se dënimeve me gjobë ishte trajtuar në mënyra të ndryshme nga gjykatat e vendit dhe nuk ka ekzistuar një procedure standarde e menaxhimit të procesit të shlyerjes së këtyre dënimeve.”
Duke i zbatuar praktikat e sistemit juridik kontinental në të cilin bën pjesë Republika e Kosovës, Gjykatat janë organe ekskluzivisht ligj zbatuese, e jo organe ligjvënëse.
Nëse bazohemi në këtë sistem, në rastin e zbrazëtirave juridike, Gjykata Supreme duhet të drejtohet tek Kuvendi i cili ka për detyrë të bëjë interpretimin autentik të ligjit të cilin e ka nxjerrë.
Përndryshe, Sistemi Qendror i Evidencës Penale është ende në proces të funksionalizimit, thotë Këshilli Gjyqësor i Kosovës për KALLXO.com.
“KGJK, në kuadër të procesit të funksionalizimit të Sistemit Qendror të Evidencës Penale, është në proces të kompletimit të bazës ligjore për operimin e këtij sistemi me të gjithë komponentët e tij përbërës”.
Ndërsa për veprimet e mëtutjeshme të Gjykatës Supreme karshi këtij mendimi do të vendoset në seancën e ardhshme të këtij institucioni.
“Mendimi Juridik të Gjykatës Supreme nr. 230/2022, do të jetë një çështje diskutimi në seancën e ardhshme të përgjithshme të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme.” ishte përgjigja që Kallxo.com pranoj nga Gjykata Supreme.