Qeveria e Kosovës e ka shpërblyer me kontratë 147 mijë euro kompaninë Avni Mustafajt, që është miku i zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi. Mustafaj, i cili ka një kompani lobuese në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përmes tij, Qeveria e Kosovës synon të rregullojë imazhin në SHBA pas sanksioneve të fundit.
Të shtunën, Euronews Albania ka raportuar se qeveria e Kosovës ka angazhuar një kompani lobimi në Washington dhe në dokumentin të cilit i referohen, citohet të thuhet se kompania lobuese e paguar nga Qeveria e Kosovës me shumën 147 mijë euro do të ofrojë këshilla strategjike dhe përfaqësim të huaj brenda Shteteve të Bashkuara.
Kontrata, e cila siç raporton Euronews Albania është nënshkruar më 26 qershor mes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe përfaqësuesit të kompanisë lobuese, shqiptaro-amerikanit Avni Mustafaj ka hyrë në fuqi më 3 korrik dhe do të jetë e vlefshme për 1 vit.
Siç merr vesh Paparaci.com, Avni Mustafaj është mik i ngushtë i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimit. Mustafaj ka qenë zëvendësdrejtor në Universitetin Amerikan të Kosovës (AUK-RIT) ku edhe Bislimi ka qenë profesor. Kështu, sipas raportimeve të Euronews i bie që miku i Besnik Bislimit të jetë shpërblyer me një kontratë afër 150 mijë euro për lobim.
Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Diasporës janë kritikuar vazhdimisht për mungesë të strategjisë dhe produktivitetit në diplomaci si pasojë e së cilës, Kosova nuk ka marrë asnjë njohje tash e disa vite.
Kështu, duket se sanksionet e fundit të Bashkimit Evropian dhe masat e ndërmarra nga SHBA-të ndaj Kosovës kanë mobilizuar pak qeverinë që të ndërmarrë hapa në strategjinë diplomatike, por kjo është bërë duke shpërblyer njerëz të aftë të pushtetit.
Kjo ndodh pikërisht në kohën kur qeveria e Kosovës dhe partia në pushtet po përballen me disa skandale të tjera.
Publikimi i përgjimeve që implikojnë shefen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari – Lila teksa bisedon në telefon me deputetin e Listës Serbe që në këto përgjime flet në emër të kryekriminelit të veriut, Milan Radojiçiq dhe biseda e Kusarit me Radojiçiqin, arrestimi i zyrtarit të lartë të partisë, Faruk Mujka nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës sa ishte në komunën e Mitrovicës e votimi i Ligjit për Pagë Minimale që lë jashtë veteranët e UÇK-së janë vetëm disa nga çështjet me të cilat po përballet qeveria.
Se cili do të jetë shpjegimi i qeverisë që ka shpërblyer mikun e Besnik Bislimit me kontratë 150 mijë euro për lobim mbetet të shihet, por, Lëvizja Vetëvendosje po kritikohet ashpër se nuk ka mbajtur premtimet për eliminimin e korrupsionit, nepotizmit e familjarizmit në qeveri.