Prishtinë- Laura Nushi, e cila ditë më parë është emëruar ushtruese e detyrës së drejtorisë ekzekutive në Spitalit “Dr.Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, është pjesë e vendimmarrjes në Forumin e Gruas të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Një javë më parë, Këshilli i Përgjithshëm i Grave për Vetëvendosje ka mbajtur mbledhjen e saj të tretë. E pranishme në këtë mbledhje ishte edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës të Spitalit të Mitrovicës, Laura Nushi. Ndonëse ajo në një prononcim për “Betimi për Drejtësi” pati thënë se nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje madje nuk është e aktivizuar fare në politikë, fotografitë e publikuara nga LVV tregojnë se ajo është pjesë e vendimmarrjes në këtë forum.
“Jo, nuk jam e anëtarsume. Anëtarësi nuk kam. Jo, vetëm se jam përkrahëse. Na votë dikujt duhet me ja qit, është tjetër muhabet është ajo, mirëpo e aktivizune në politikë nuk jam fare hiç. Po tash jam emru si drejtoreshë e spitalit”, kështu ka thënë ajo tri ditë më parë.
“Betimi për Drejtësi” të premten ka kontaktuar me Egzon Azemin nga Lëvizja Vetëvendosje Qendra në Prishtinë, lidhur me atë nëse Nushi është e anëtarësuar në këtë subjekt politikë, por i njëjti e ka mohuar. Ndërsa sa i përket së saj në forumin e gruas, Azemi tha se në këto raste mundesh me qenë pjesëmarrës edhe nëse nuk je anëtar i LVV-së.
“GVV është organizimi i vajzave dhe grave dhe qenka takim i nivelit qendror jo i Qendrës së Prishtinës. Po ashtu në Rinia për Vetëvendosje (RVV) e Gratë për Vetëvendosjen (GVV) sipas statutit munden me qenë pjesë pa qenë anëtarë të Lëvizjes”, sqaroi ai për “Betimi për Drejtësi”.
Por, sipas nenit 5 të statutit të Lëvizjes Vetëvendosje, organet vendimmarrëse dhe ekzekutive të Lëvizjes Vetëvendosjes themelohen brenda hapësirave administrative dhe mbështeten edhe nga organet këshillëdhënëse të Lëvizjes.
“Organet vendimmarrëse dhe ekzekutive të Lëvizjes Vetëvendosje themelohen brenda hapësirave administrative gjeografike dhe mbështeten edhe nga organet këshillëdhënëse të Lëvizjes Vetëvendosje dhe nga Komisioni Statutor, si organ interpretues i këtij Statuti. Lëvizja Vetëvendosje do të ketë organizime të ndërvarura të përhershme si Gratë për Vetëvendosje (GVV) dhe Rinia për Vetëvendosje (RVV) që kanë organet e tyre vendimmarrëse dhe ekzekutive”, thuhet në statutin e LVV-së.
Në këtë statut gjithashtu theksohet se organet vendimmarrëse dhe ekzekutive të Lëvizjes janë të strukturuara në tri nivele, nivelin e parë, të dytë dhe të tretë organizativ.