Besimtarët myslimanë në botë po festojnë ditën e parë të Fiter Bajrmit. Manifestimi qendror në Kosovë për këtë festë u mbajt në Xhaminë e Madhe në Prishtinë ndërsa u përcollën mesazhe paqeje, për angazhim në të mirë të Republikës dhe thirrje për të mos braktisur vendin.
Ne mesazhin e tij pas faljes së Bajramit të Madh, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, tha se Bajrami i Madh sjellë gëzim e lumturi në shpirtin dhe zemrën e besimtarit pas një muaj agjërimi në Ramazan.
“Festa e Fitër Bajramit bart në vete gëzimin, harenë, lumturinë dhe çiltërsinë në shpirtin dhe zemrën e besimtarit. Të gjithë besimtarët gjithandej globit me plot arsye sot festojnë, urojnë e përgëzojnë ngase për një muaj rresht me bindje e përkushtim kanë zbatuar urdhrin e krijuesit të gjithësisë, duke agjëruar në muajin Ramazan, muajin Ramazan të cilin sapo e lamë pas me mirësi e begati të tij si asnjë muaj tjetër”, deklaroi Tërnava.
Manifestimi për festën e Fitër – Bajramit në Xhaminë e Madhe në Prishtinë filloi me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit pati ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga teologu, Muhamed ef. Stublla.
Namazi i Fitër – Bajramit u fal në orën 06:23, të cilit i priu kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti.