Samiti i tretë i komunitetit politik evropian ka mbledhur sot liderët e 47 vendeve evropiane në qytetin spanjoll të Granadës dhe një nga temat kryesore do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian.
Pjesëmarrësit e takimit do të diskutojnë se si ta bëjmë Evropën më elastike, më të begatë dhe gjeostrategjikisht të rëndësishme, njoftoi Këshilli i Bashkimit Evropian.
Në samit ishin të ftuar presidentët e shteteve dhe qeverive të 47 vendeve, si dhe presidentët e Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.
Përveç anëtarëve të BE-së, në samit do të marrin pjesë ndër të tjera liderët e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Turqia, Armenia, Azerbajxhani.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u tha gazetarëve në Bruksel se zgjerimi i BE-së do të jetë ndër temat kryesore të samitit të Komunitetit Politik Evropian, si dhe samitit jozyrtar të BE-së një ditë më vonë.
Ai tha se situata aktuale në Kosovë do të diskutohet në margjinat e samitit të BE-së, duke paralajmëruar se “dhuna nuk është e pranueshme” dhe se “mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen si kusht për integrimin në BE”.
Presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Vjosa Osmani do të marrin pjesë në samitin e komunitetit politik evropian, ndërsa gazeta britanike The Guardian, duke cituar burime të paidentifikuara, shkruan se ka përpjekje për organizimin e takimit të tyre “megjithë armiqësinë politike mes dy vendet”.
Presidentja e Kosovës ka udhëtuar dje për në Spanjë. Sipas njoftimit të presidencës, me ftesë të Presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, Osmani është nisur dje për në Granada të Spanjës, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Ky samit do të mbledhë krerë shtetesh nga 47 vende të kontinentit evropian si dhe liderët e institucioneve evropiane, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë në mënyrë që Evropa të jetë më e qëndrueshme, e begatë dhe gjeostrategjike. Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe diskutime me liderë evropianë për t’i informuar lidhur me agresionin e Serbisë kundër Kosovës dhe për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta. Para liderëve evropianë, Presidentja Osmani pritet të përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon”, thuhet në njoftim
Qëllimi i komunitetit politik evropian është të inkurajojë dialogun politik dhe bashkëpunimin në zgjidhjen e çështjeve me interes të përbashkët dhe forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.
Samiti i parë i komunitetit politik evropian u mbajt në Pragë në tetor 2022, kur paqja dhe siguria, lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike ishin në krye të agjendës.
Në samitin e dytë, në qershor 2023 në Kishinau, temat kryesore ishin edhe siguria në kontekstin e luftës në Ukrainë, qëndrueshmëria energjetike, pastaj ndryshimet klimatike dhe lidhja dhe lëvizshmëria, ndërsa liderët folën edhe për situatën në veri të Kosovës.
Takimi i radhës do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar.
Një ditë pas samitit të Komunitetit Politik Evropian do të mbahet një takim jozyrtar i Këshillit Evropian, po në Granada. Spanja aktualisht mban presidencën e BE-së.
Michel theksoi në letrën e ftesës për takimin e liderëve të BE-së më 6 tetor se, përveç agjendës strategjike, temë e diskutimit do të jetë “e ardhmja e BE-së së zgjeruar” dhe pasojat që mund të ketë zgjerimi në BE dhe vendet kandidate.