Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, i kërkoi Kuvendit një ditë më parë dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit socialist, Arben Ahmetaj.
Për të shqyrtuar këtë kërkesë, kryetarja e Kuvendit ka thirrur sot mbledhjen e Këshillit të mandateve në orën 16:00, ku do të diskutohet mbi heqjen e mandatit të deputetit, Ahmetajt.
Këshilli i Mandateve pritet të dalë me një raport dhe më pas do i dërgohet parlamentit për votim. Ahmetaj nuk do të jetë i pranishëm por do të përfaqësohet nga avokatët e tij. Mbledhja do të mbahet me dyer të mbyllura për të mos cenuar sekretin hetimor.
Arben Ahmetaj po hetohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Akuzat kanë lidhje me hetimet që janë nisur për inceneratorin e Elbasanit. Gjatë hetimeve pas kallëzimeve të bëra në adresë të Ahmetajt se ka përfituar dhurata e udhëtime të paguara nga administratorët dolën disa të dhëna që e implikojnë atë në këto tre akuza që ka ngritur SPAK, për të cilat kërkon edhe arrestimin.
/Gazeta Express