Bashkimi Evropian (BE) pret nga Serbia jo vetëm bashkëpunim të plotë, por edhe pa kushtëzime për zbardhjen e plotë të sulmeve që ndodhën më 24 shtator në Banjskë, sulme të cilat nga bashkësia ndërkombëtare i quajti terroriste.
Për këtë rast, zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano theksoi të hënën se askush nuk duhet të fshihet prapa qëndrimeve rreth statusit si pretekst.
“Duhet t’i ktheheni dialogut, përndryshe nuk do t’i zgjidhni çështjet. Së dyti, pritshmëria dhe thirrje shumë e rëndësishme që u përsërit dhe iu kujtua kjo thirrje e vazhdueshme për të de-përshkallëzuar, për të bërë gjithçka që është e mundur për të de-përshkallëzuar situatën. Sa i përket pjesës tjetër të pyetjes suaj, pritshmëritë tona nga Serbia nuk janë vetëm që ne presim një bashkëpunim të plotë nga Serbia, por edhe bashkëpunim të pakushtëzuar nga Serbia, dhe nëse ka vullnet, ka një zgjidhje. Askush nuk ka nevojë të fshihet pas formaliteteve të njohjes ose mosnjohjes (së shteteve). Ka mjaft mënyra se si mund t’i ndani gjetjet tuaja, si mund të bashkëpunoni, si mund të kontribuoni në hetimin e plotë sepse kjo ishte diçka kaq serioze (ajo që ndodhi më 24 shtator) saqë duhet të sqarohet plotësisht sepse do të ketë pasoja. Pra, duhet të hetohet plotësisht”, theksoi Stano.
Zëdhënësi i BE-së, Stano nuk u është përgjigjur as pyetjeve se a ka BE-ja informata nga Beogradi nëse është akuzuar dikush tjetër për këtë akt përveç Radoiçiqit, që veçse e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
“Si gjithmonë, ne nuk po komentojmë nëse njerëzit po tallen apo jo. Nuk po komentojmë vërejtjet individuale të njerëzve, të njerëzve të ndryshëm në ndërveprimet e tyre publike. Ajo që është e rëndësishme për është pritshmëria e Bashkimit Evropian dhe shteteve të tij anëtare, e cila u përcoll shumë qartë në disa raste, ne presim bashkëpunim të plotë dhe të pakushtëzuar. Nëse ka vullnet, ka një rrugedalje. Nuk do të bëj zbulimin e angazhimeve procedurale dhe detajeve procedurale të dialogut dhe ndërveprimeve tona me partnerët. Në fund të fundit, BE-ja pret të shohë të dyja rezultatet, që do të thotë hetim i plotë dhe bashkëpunim i të gjithëve që mund të kontribuojnë në të, bashkëpunim i pakushtëzuar dhe i plotë në mënyrë që më në fund të kemi një pasqyrë të plotë për atë që ndodhi dhe kush është përgjegjës për atë që ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator”, theksoi ai.
Më 24 shtator një grup i armatosur terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe i plagosur polici Alban Rashiti. Ndërkaq, u vranë tre sulmues të grupit terrorist, kurse katër prej tyre u arrestuan.