Gjykata Supreme ka liruar nga akuzat ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq i cili ishte dënuar me dy vite dënim me burgim më 5 dhjetor 2019 për një deklaratë të dhënë në vitin 2018 me të cilën e quante “trillim” masakrën e Reçakut të 15 janarit 1999, në të cilën forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë.
Konfirmimin e ka dhënë zëdhënësja e kësaj gjykate, Antigona Uka.
Vendimi i gjykatës së shkallës së parë për dënim me dy vite ishte apeluar nga mbrojtja. Anëtarët e trupit gjykues ishin; Valdete Daka, kryetare, Agim Maliqi dhe Afrim Shala, anëtarë.
Ivan Todosijeviq ishte shpallur fajtor për herën e dytë.
I njejti kishte bërë kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, e cila ishte e konfirmuar nga zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
“Gjykata ka filluar procedurën e ekzekutimit të dënimit me burg për të dënuarin I.T., i cili duhet të lajmërohej me datë 03.04.2023, por i njëjti ka bërë kërkesë për shtyrje dhe në momentin që parashtrohet kërkesë për shtyrje ndërpritet ekzekutimi, deri sa të vendoset për kërkesën” – thuhej në përgjigjen e Gashit.
Në korrik të vitit 2019, Prokuroria e Prishtinës kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të MAPL-së, Ivan Todosijeviq, për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes.
Sipas Prokurorisë, Todosijeviq në cilësi të ministrit, me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarje dhe mosdurim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikën e Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se Todosijeviq në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, ka thënë se masakra e Reçakut ishte trillim.
“Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, kishte thënë Todosijeviq.
Pas kësaj deklarate, kryeministri Ramush Haradinaj e kishte shkarkuar Todosijeviqin nga pozita e ministrit. /kallxo