Kryeministri Edi Rama ndërsa ka shpërndarë deklaratën e Josep Borrell në përfundim të takimeve që pati me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiq, shkruan se pa u liruar 3 policët e Kosovës që po mbahen të arrestuar në Serbi, nuk do të ketë asnjë përparim të vërtetë në situatën e krijuar mes dy vendeve.
Në një postim të bërë në “Twitter”, Rama shton se sapo policët të kthehen në shtëpi, Franca dhe Gjermania duhet të ndërhyjnë me veprime të forta për të ndaluar këtë asburditet të tensioneve në veri të Kosovës.
“Pa tre djemtë që largohen shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë! Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti! POR Gjëja e parë: Lironi 3 policët!”– shkruan Rama.
Për katër orë rresht, në Bruksel, Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell dhe i dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar “një seri takimesh për menaxhimin e krizave”, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Sipas Borrell në takime janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.