Telekomi i Kosovës i ka diskriminuar dhjetëra punëtorë, duke i paguar më pak se kolegët e tyre edhe pse bënin punën e njejtë. Auditori i Përgjithshëm ka gjetur se për 41 pozita, punonjësit në këtë ndërmarrje s’janë paguar me grada të njëjta për pozitën e njëjtë. Dallimi në paga ka qenë për rreth 100 dhe 200 euro.
Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Ndërmarrjen Publike “Telekomi i Kosovës” për vitin 2022, ka gjetur se disa punëtorë të kësaj ndërmarrje janë diskriminuar në paga.
Bazuar në këtë raport, për 41 pozita, punonjësit nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë.
“Testet tona të listës së pagave të punonjësve, tregojnë se për 41 pozita, punonjësit nuk paguhen me grada të njëjta për pozitën e njëjtë. Edhe pse gjatë vitit 2022 ishte hartuar rregullorja për marrëdhënie pune dhe rregullorja për sistematizimin e vendeve të punës, mirëpo ende nuk ishte implementuar në tërsi procesi i ristrukturimit. Sipas konfirmimeve zyrtare, ky process do të finalizohet gjatë vitit 2023”, theksohet në raport.
Nga Telekomi i Kosovës për gazetën express i kanë fajësuar menaxhmentet e kaluara për këtë gjendje. Madje, kanë drejtuar edhe akuza ndaj tyre për avancime pa kritere.
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit për Relacione me Publikun në Telekom, Fadil Lepaja, ka thënë se sistemi i punonjësve në pozita, në të kaluarën është bërë pa u aplikuar procedurat e regrutimit përmes së cilës përcaktohet edhe niveli i gradimit për secilën pozitë.
Sipas Lepajës, ky problem do të zgjidhet brenda këtij viti.
“Ky problem pritet të zgjidhet brenda këtij vit pasi që jemi në fazën e implementimit të procesit të ristrukturimit dhe plotësimi i pozitave do të bëhet përmes konkurse të brendshme”.