Nënkryetarja e Partisë serbe Liri dhe Drejtësi Marinika Tepiq ka vlerësuar se duke parë dëshminë e Millan Radoiçiqit, mund të shihet se prokurori as që ka kërkuar paraburgim sipas atyre pikave të Ligjit të Procedurës Penale që me siguri do të çonin në një vendim të tillë të gjyqit.
Jemi dëshmitarë të një farse tjetër dhe bizaritetit të gjyqësorit serb, pasi mediat e shumta njoftuan se është hequr ndalimi i Millan Radoiçiqit, i akuzuar për prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe mjeteve shpërthyese, si dhe për krim të rëndë kundër sigurisë së përgjithshme, edhe pse as nuk është caktuar paraburgimi kundër tij, ka deklaruar Tepiq.
Prokurori nuk ka kërkuar paraburgim për Radoiçiqin as sipas pikës që ka të bëjë me rrezikun e përsëritjes së veprës penale, pasi krimet e përshkruara janë jashtëzakonisht të rënda, as sipas pikës tjetër të të njëjtit nen që ka të bëjë me shqetësimin e publikut, i cili detyrimisht kërkohet në situata të tilla dhe të ngjashme, ka theksuar ajo.
Në të dyja rastet, ka shtuar Tepiq, gjykata nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të caktonte paraburgim, por prokurori zgjodhi vetëm pikën që lidhet me rrezikun e arratisjes, e që është qesharake në këtë rast.
Tepiq në një deklaratë me shkrim ka theksuar se situata përkeqësohet edhe më shumë me komentet që akuzojnë Aleksandar Vuçiqin se qëndron pas direktivave të tilla për të larë fytyrën para bashkësisë ndërkombëtare ose gjoja se po i sakrifikon miqtë e tij.
Këtu lind pyetja kryesore nëse në të vërtetë Radoiçiqi do ta sakrifikonte Vuçiqin dhe nëse një hetim i vërtetë do të tregonte se tani Radoiçiqi kontrollon Vuçiqin, dhe jo anasjelltas, ka shtuar ajo. /Paparaci