Kombet e Bashkuara njoftuan se çmimi më i lartë për lirinë e shtypit iu dha tre gazetareve të burgosura në Iran, “për përkushtimin e tyre ndaj të vërtetës dhe llogaridhënies”.
Fituesja e parë është gazetarja Niloufar Hamedi, e cila nxori lajmin për vdekjen e 22-vjeçares Mahsa Amini shtatorin e kaluar, ndërsa ishte ndaluar nga policia e moralit se nuk e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës. Fituesja e dytë është gazetarja Elaheh Mohammadi, e cila shkruajti për funeralin e Amini.
Vdekja e Amini shkaktoi protesta disamujore në dhjetëra qytete në mbarë Iranin. Demonstratat krijuan një ndër sfidat më serioze për Republikën Islamike të Iranit që nga Lëvizja e Blertë e vitit 2009 që mblodhi miliona protestues nëpër rrugë.
Fituesja e tretë është Narges Mohammadi, e cila punoi për shumë vite si gazetare dhe është ndër aktivistet më të njohura të Iranit.
Çmimi për Lirinë e Shtypit në Botë, i Organizatës së OKB-së për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), ka marrë emrin e Guillermo Canos, një gazetar kolumbian që u vra përpara zyrave të gazetës së tij në Bogota në vitin 1986.
Në fund të prillit, gjyqësori i Iranit pranoi se dy gazetaret që dhanë lajmin për vdekjen e Amini, Niloufar Hamedi dhe Elaheh Mohammadi, ishin akuzuar për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, veprimtari kundër sigurisë kombëtare dhe krijimit të “propagandës kundër sistemit”.
Ndërsa rreth 100 gazetarë u arrestuan gjatë demonstratave, raportimet e gazetareve Hamedi dhe Mohammadi ishte vendimtare në ditët pas vdekjes së Amini për të përhapur lajmin për zemërimin që pasoi. Hamedi punonte për gazetën reformiste “Shargh”, ndërsa Mohammadi punonte për gazetën reformiste “Ham-Mihan”.
Arrestimet e tyre kanë ngjallur kritika ndërkombëtare lidhur me goditjen e përgjakshme të forcave të sigurisë që zgjati disa muaj pas vdekjes së Amini. Sipas UNESCO-s, gazetaret Hamedi dhe Mohammadi janë në burgun Evin të Iranit që nga muaji shtator, dhe Hamedi mbahet në izolim. /VOA