Tre zyrtarët policorë të Kosovës të cilët janë në paraburgim me vendim të institucioneve në Serbi, sot pritet të vizitohen nga familjarët e tyre në qendrën e paraburgimit në Kralevë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Qëndresa Fazliu.
MPJD përmes Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, e cila është në komunikim të vazhdueshëm me familjarët dhe zyrtarët policorë, është njoftuar se vizita e familjarëve të policëve të Kosovës pritet të zhvillohet gjatë ditës së sotme.
Po ashtu nga MPJD kanë konfirmuar se tashmë janë dërguar të gjitha medikamentet e nevojshme për zyrtarin policor, Shemë Mustafa, i cili ka probleme shëndetësore.
Më 14 qershor 2023, tre policë të Kosovës u kidnapuan nga autoritetet serbe. Sipas Policisë së Kosovës, tre policët e arrestuar janë kapur në afërsi të Leposaviqit.
Ndaj tre policëve, më 16 qershor u vendos masa e paraburgimit prej 30 ditësh, e për lirimin e tyre pati kërkesa të vazhdueshme nga zyrtarët shtetërorë e ndërkombëtarë.
Lirimi i tyre iu kërkua prapë më 22 qershor presidentit serb, Aleksandar Vuçiq gjatë takimit bilateral që ai pati me ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Madje, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell pas takimeve që pati me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e me presidentin serb tha se takimet e 22-qershorit u fokusuan në gjetjen e mënyrës se si të qetësohet situate në terren; si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog.
Një nga kërkesat që ai ia theksoi presidentit serb është edhe që tre policët duhet të lirohen urgjentisht dhe pa kushte.