Në protestën e gjashtë “Serbia kundër dhunës”, të premten, dhjetëra mijëra qytetarë në Beograd nisën një marsh drejt Qeverisë së Serbisë, rreth së cilës do të bëhet një unazë.
Në krye të kolonës janë studentët me pankartën “Studentët kundër dhunës”.
Pjesëmarrësit në protestë kanë brohoritur “Studentët nuk heshtin”, “Vuçiq largohu”, “Dorëheqje”.
Ndër mesazhet që protestuesit bartin në pankarta janë: “Jeta e fëmijëve nuk ka çmim”, “Mjaft më, a e kuptove”, “Në heshtje mbijeton dhuna”.
Organizatorët e protestës ftuan qytetarët që të përgatisin mesazhe për Ministrinë e Arsimit, por edhe për gjithë Qeverinë.
Protestat po zhvillohen me ftesë të një pjese të opozitës, për shkak të pakënaqësisë ndaj reagimit të Qeverisë së Serbisë ndaj krimeve nga të shtënat masive, në fillim të majit, ku humbën jetën 18 persona.
Nga protesta u bë e ditur se do të nisin aksione të reja nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen deri në fund të javës së ardhshme.