Arrestimi i një qytetari me nacionalitet serb, Dragisha Millenkoviq, i cili po dyshohet për krime lufte në Kosovë, ka bërë që edhe sot qytetarët serb të paralajmërojnë protestë në Graçanicë.
Lidhur me këtë protestë, Policia e Kosovës ka thënë se me qëllim të mbarëvajtjes së protestës së paralajmëruar, duke filluar nga ora 11:30 e deri në përfundim të protestës, do të ridrejtoj trafikun për automjetet që qarkullojnë nga Prishtina në Gjilan dhe anasjelltas.
Kjo pasi që rruga kryesore në Graçanicë nuk do të jetë e qarkullueshme për trafik deri në përfundim të protestës
Policia ka thënë se për të përballuar sa më lehtë rrethanat që do të paraqiten në qarkullimin rrugor, kërkojnë ndihmën dhe mirëkuptimin e të gjithë pjesëmarrësve në trafik që përgjatë kohës sa do të zgjatë protesta të shfrytëzojnë rrugët alternative.
Sot është dita e tretë prej kur qytetarët serb protestojnë në Graçanicë pas arrestimit të Millenkoviq, i cili po dyshohet se ka kryer krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.
Millenkoviq është sjellë më 22 qershor 2023 para Gjykatës së Prishtinës dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.