Qeveria Kurti ka vazhduar trendin e vendosjes në pozita të larta në administratë të njerëzve që kanë përkrahje të fuqishme politike. Vetëm brenda një muaji në krye të administratës në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ministrinë e Mbrojtjes janë vendosur dy njerëz që të afërmit e tyre kanë pozita shumë të rëndësishme në Republikën e Kosovës.
Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka caktuar ushtrues i detyrës së sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, Gafurr Dugollin, i cili është vëllai i deputetit të VV-së, Enver Dugolli.
Gafurr Dugolli, më herët ka qenë shef i Njësisë së Protokollit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Synimet për të marrë këtë pozitë Dugolli i kishte shfaqur edhe më herët.
Para katër muajve Ministria e Mbrojtjes kishte shpallur konkursin për pozitën e sekretarit dhe Dugolli ishte futur në listë të ngushtë për këtë pozitë të lartë drejtuese.
Megjithatë, ministria nuk ka njoftuar se çka është bërë me këtë konkurs.
Kurse, më 8 shtator, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton peci ka vendosur që detyrën e Zëvendësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri ta ushtrojë Venera Çerkini, e cila është vajza e tezes së presidentes Vjosa Osmani. Çerkimi, e cila në këtë pozitë është vendosur pas dorëheqjes së sekretarit, në shkurt të këtij viti ishte zgjedhur në pozitën e kryeshefes së Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, e cili funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
Jashtëligjshëm emërohet edhe sekretari në Ministri të Kulturës
Në muajin që lamë pas, Qeveria ka qenë mjaft e zënë me përzgjedhjen e pozitave të larta në administratën shtetërore.
Me 30 gusht, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka emëruar në pozitën e dytë më të lartë në ministri atë të Sekretarit të Përgjithshëm, Xheladin Krasniqin. Krasniqi në këtë pozitë është emëruar jashtëligjshëm. Përveç kësaj, ai është i njohur edhe për komentet e tij homofobike të bëra në vitin 2019. MKRS-së nuk është përgjigjur në pyetjet e Nacionales për këtë emërim.
Ministri Çeku në këtë rast nuk e ka respektuar Ligjin që parashikon organizimin në administratën shtetërore.
Neni 18 i Ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetëror dhe të Agjencive të Pavarurua, parashikon qartë mënyrën e emërimit të Sekretarit të Përgjithshëm.
Sipas këtij neni, vetëm një drejtori i ndonjë prej departamenteve mund të emërohet Sekretar i Përgjithshëm dhe nuk mund të emërohet një zëvendësues në këtë pozitë të rëndësishme në ministri.
“5. Sekretari i Përgjithshëm, në rast mungese, zëvendësohet nga drejtori i një prej departamenteve të ministrisë, i caktuar me shkrim nga vetë Sekretari. Në rast pamundësie shëndetësore, drejtori i departamentit që zëvendëson Sekretarin e Përgjithshëm caktohet me shkrim nga ministri.”, thuhet në Nenin 18.
Gjithashtu, javën e kaluar Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për emërimin e tre anëtarëve të rinj të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
Njeri nga ta është Jetmir Haxhibeqiri. Gazeta Nacionale ka mësuar se Jetmiri është vëlla i aktivistit të shquar të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Haxhibeqiri, i cili vitin e kaluar është zgjedhur Drejtor të Qendrës për Trashëgimi Kulturore në Gjakovë. /Nacionale