Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka komentuar deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se nisma “Ballkani i Hapur” e ka përfunduar misionin për të cilin ka lindur dhe se tash rruga kryesore është Procesi i Berlinit.
Vuçiq tha, se nuk do të “zhytej me kokë në asgjë”, por se nuk besonte se Rama e kishte thënë vërtet kështu.
“Ne jemi pjesë e procesit të Berlinit dhe kjo është në rregull. Nuk besoj se Rama e ka thënë këtë. Shpresoj të kem mundësi ta shoh së shpejti. “Ballkani i Hapur” është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani”, tha Vuçiq për TV Prva.
Ai shtoi se do të konsiderojë gjithmonë se “çdo ide jonë e krijuar në rajon është më e mirë se ato që vijnë nga jashtë”.
“Kjo është shprehje e dëshirave dhe marrëdhënieve tona, jo diçka që e bëjmë nën sundimin e dikujt tjetër”, tha Vuçiq.
Rama, deklaroi se tash rruga kryesore është Procesi i Berlinit, duke përmendur se Samiti mbahet në Tiranë këtë vit.
“Procesi i Berlinit është tani më aksi ynë kryesor. “Ballkani i Hapur” ishte një iniciativë e cila lindi nga nevoja për ta shtyrë përpara Procesin e Berlinit, dhe e ka kryer tani atë mission për të cilin lindi. Ne duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit, sepse e kemi këtë mundësi, e kemi në Tiranë. Kemi mundësinë ta zotërojmë si proces, me mbështetjen e madhe që kemi nga Gjermania, nga Kancelari Scholz por edhe nga gjithë të tjerët”, ka thënë Rama, në një intervistë për Euronews Albania.
Nisma për bashkëpunimin rajonal “Ballkani i hapur”, e cila përfshin Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, është marrë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në tetor të vitit 2019.
Nisma fillimisht është quajtur “Mini Schengen” dhe ajo parasheh lëvizjen e lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis tri vendeve.
Në korrik të vitit 2021, në Forumin për Bashkëpunim Ekonomik Rajonal në Shkup, nisma ka marrë emrin e ri, “Ballkani i hapur”.
Kosova ka qenë kundër kësaj nisme që nga fillimi. Kryeministri Albin Kurti ka thënë më herët se nisma “Ballkani i Hapur” më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja”, sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë më herët se “Ballkani i Hapur” nuk është ndërtuar mbi parimet e bashkëpunimit rajonal dhe se në këtë nismë, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk trajtohen në mënyrë të barabartë.