Arma që ia vështirësoi jetën Vladimir Putinit, është tashmë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Dronët inteligjentë, sulmues pa pilotë, që kontrollohen nga një bazë tokësore, kanë arritur në Kosovë nga vendi prodhues i dronëve dhe gjithë sistemit përcjellës, Turqia, pas gati 7 muajsh nga nënshkrimi i kontratës me kompaninë prodhuese. Ujdia ishte firmosur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Interesimi për t’u pajisur me këtë mjet ajror luftarak kishte nisur qysh në fillim të vitit 2022, veçmas pas pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.
Por, është pikërisht furnizimi i FSK-së me këta dronë që e ka bërë Serbinë të tërhiqet nga blerja e tyre.
Kështu ka deklaruar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, sipas mediave serbe.
Ai ka thënë se ushtria e Serbisë është shumë më e fuqishme se ajo e Kosovës, por ka theksuar se FSK-ja vazhdimisht po pajiset dhe armatoset, në radhë të parë nga Turqia.
“Turqit u kanë dhënë mjete të blinduara shumë të fuqishme, mortaja, bajraktarë, obusa, këto janë të gjitha që i ka FSK-ja. Ata kanë optikë termike, me rreze të gjatë dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të kemi mjete adekuate nëse populli ynë kërcënohet”, ka deklaruar Vuçiqi, teksa ka shtuar se Serbia ka hequr dorë nga blerja e “Bayraktarëve” turq për shkak se Ankaraja ia ka dorëzuar ata Prishtinës.
“Ne nuk do të bashkëpunojmë me ta, sepse ata janë furnizuesit kryesorë të një shteti inekzistent”, tha presidenti serb, raporton “Vesti”.
Ai theksoi se Ushtria e Kosovës as që duhet të ekzistojë, as sipas Marrëveshjes së Kumanovës, as sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së, por përkundër kësaj, jo vetëm që ekziston, por në radhë të parë Turqia i armatos.
“FSK-ja nuk duhet të ekzistojë, por atyre, Perëndimit dhe Turqisë, nuk u intereson shumë. Fort u intereson atyre për të drejtën ndërkombëtare. E drejta ndërkombëtare janë ata, ky është ligji i më të fortëve. Prishtina po krijon ushtrinë e saj, e cila nuk guxon të ekzistojë dhe e arsyetojnë duke thënë se Kosova është e pavarur, sepse të gjithë e kanë njohur, me të drejtën e më të fortit, të nxjerrë nga agresioni ilegal kundër RFJ-së”, tha Vuçiqi.
Në prill të vitit të kaluar, presidenti serb Aleksandar Vuçiq kishte paralajmëruar mundësinë e blerjes së “Bayraktar”.
“I kërkova presidentit turk që të prokurojë ‘bajraktarët’ përmes urdhrit dhe t’i përfshijë ata në armatimin e Forcave të Armatosura Serbe”, kishte thënë Vuçiqi në atë kohë.