Yevgeny Prigozhin, themeluesi i grupit paraushtarak rus Wagner, kërcënoi se do të tërhiqte mercenarët e tij nga qyteti i sulmuar ukrainas i Bakhmutit nëse problemet e furnizimit me municion nuk zgjidhen.
Kjo deklaratë erdhi pasi Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy kërkoi ndihma me sisteme moderne të mbrojtjes ajrore pas një prej sulmeve më vdekjeprurëse ruse ndaj civilëve në muajt e fundit.
Në një intervistë të publikuar më 29 prill, Prigozhin tha se do të “detyrohet të tërheqë disa njësi” nga Bakhmuti nëse Wagner nuk merr së shpejti më shumë municion, duke vazhduar një ankesë që ai ka shprehur prej javësh.
Bakhmut, një qendër kryesore transporti në rajonin e Donjeckut, ka qenë vendi i luftimeve më të zjarrta gjatë disa muajve të fundit me numër të madh të viktimave te të dyja palët.
Zyrtarët ushtarakë ukrainas kanë thënë se humbja e Bakhmutit, e cila ndodhet në kodra, duke ofruar një mbrojtje natyrore, do të hapte trupat e saj të vendosura në pjesë të tjera të Donjeckut ndaj sulmeve.
Wagner ka udhëhequr përpjekjet ruse për të marrë Bakhmutin që nga viti i kaluar, por nuk ka qenë në gjendje të largojë luftëtarët ukrainas, të cilët ende mbajnë cepat perëndimore të qytetit.
Prigozhin paralajmëroi se një tërheqje e Wagnerit nga Bakhmuti do të çonte në një kolaps rus përgjatë pjesëve të tjera të frontit prej 1000 kilometrash.Ndërsa Prigozhin foli, forcat ruse vazhduan presionin në vijën e frontit Bakhmut-Adviyivka-Maryinka, duke nisur 48 sulme të pasuksesshme në pozicionet ukrainase, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në përditësimin e tij të përditshëm më 29 prill.
Ndërkohë Zelenskiy u bëri thirrje aleatëve dhe partnerëve të Ukrainës që të furnizojnë Ukrainën me mbrojtje më të mirë ajrore pasi të paktën 25 persona, përfshirë disa fëmijë, u vranë në një valë sulmesh ruse në qytetet ukrainase, përfshirë kryeqytetin, Kiev, më 28 prill.Më i godituri ishte Uman, një qytet në rajonin Cherkasy të Ukrainës qendrore, ku të paktën 23 persona, përfshirë katër fëmijë, u vranë kur një raketë ruse goditi një ndërtesë apartamentesh nëntëkatëshe, sipas Ministrisë së Brendshme të Ukrainës.
Rreth 109 persona besohet të kenë banuar në pjesën e ndërtesës që u godit. /Vezhguesi/