Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla të enjten e 11 majit ka marrë pjesë ceremoninë e ndarjes së medaljeve për 34 xhandarë të EULEX-it, 24 italianë dhe 10 lituanezë në Prishtinë.
Njoftimi është dhënë nga vet EULEX që gjithashtu ka shpërndarë pamjet nga ceremonia. Aty shihet edhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që në 2009’ën si aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje shfaqte “telashe” të madhe me vetë ekzistencën e EULEX’it.
“Më 11 maj, 24 xhandarë italianë dhe 10 lituanezë të Njësisë Policore të Specializuar Rezervë (NJPS) të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) morën medaljen për shërbim në Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (CSDP), e cila jepet nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së të gjithë grave dhe burrave të merituar që shërbejnë në misione të ndryshme të CSDP-së në mbarë botën. Ceremonia për ndarjen e medaljeve për shërbim u organizua nga Shefi i Misionit EULEX, Lars-Gunnar Wigemark në selinë e këtin Misioni në Prishtinë, në prani të Ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, shefave të misioneve të shteteve anëtare të BE-së, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm për Burime të Policisë së Kosovës, Dejan Jankovic, Komandantit të Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të KFOR-it, Kolonel Ruggiero Capodivento, si dhe përfaqësuesve të organizatave të tjera ndërkombëtare në Kosovë dhe mysafirëve të tjerë”, njoftoi EULEX.