Një rast i rëndë ka ndodhur në Mitrovicë, ku një burrë tentoi t’i jap fund jetës pas presionit të vazhdueshëm që e ka pasur nga fajdexhinjtë. Si pasojë e gjendjes së rënduar, viktima tentoi të bëjë vetëvrasje, duke konsumuar domestos, por fatmirësisht shpëtoi dhe u dërgua në QKUK për trajtim mjekësor.
Lidhur me rastin tashmë është arrestuar një person, ndaj të cilit kanë nisur hetimet për veprat penale “Fajde” dhe “Shytje në vetëvrasje”.
Sinjali mëson se personi që u arrestua sot në Mitrovicë është Baki Dibrani, 48-vjeçar – i cili u kap pasi Policia kreu bastisje në shtëpinë e tij.
Identifikimi i tij erdhi pas aktivizimit të Policisë për hetimin e rastit dhe ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme, me ç’rast u zbulua se i njëjt dyshohet se është i përfshirë në këtë rast.
Me t’u përfunduar aksioni, i njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin.
Ndaj tij, Prokurori i shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal, teksa është iniciuar hetim në drejtim të veprave penale “Fajde” dhe “Shtytja në vetëvrasje”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.