KFOR-i nuk ka dërguar përforcime në veri të Kosovës, pas sulmit ndaj policisë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter, u plagosën dy të tjerë, si dhe u vranë tre sulmues serbë.
Për ABC News, zëdhënësi i KFOR-it, Koloneli Andrea Gallieni tha se trupat janë më të përqendruara vetëm në zonat më të ndjeshme.
“Nuk ka përforcime, trupat e KFOR-it janë më të përqendruara vetëm në zonat më të ndjeshme.”, theksoi ai.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i maskuar dhe i armatosur, teksa forcat e rendit po tentonin të largonin barrikadat që ishin vendosur në një rrugë në fshatin Banjskë të Zveçanit – një prej katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës, prej ku gjatë gjithë të dielës u përlesh me policinë.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.