Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pas deklaratës së koordinatorit të Departamentit për Drejtësi në kuadër të Qeverisjes së Mirë të PDK-së, Përparim Grudës.
Gruda u deklarua për dyshtetësinë e kryediplomates Donika Gërvalla-Schwarz dhe atë të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Për këtë, ka reaguar Sallahu, duke i dalë në mbrojtje dy diplomatëve.
“Në këtë konferencë ai tha “Meqë Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj i kanë nga dy pasaporta, kur ta merrë mandatin PDK, ata nuk do të jetojnë në Kosovë”. Ky është kërcënim dhe njëkohësisht dhunim brutal i të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuar me kushtetutë”, ka deklaruar zëvendësministri.
Reagimi i plotë:
Në këtë vazhdimësinë e konferencave të goditësve të shtetit, sot, pamë një tjetër përfaqësues të tyre, që sipas gojdhënave thuhet që paska kry shkollë në Austri (sikur ky kolektivi i fytyrave publike të PDK-së).
Në këtë konferencë ai tha “Meqë Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj i kanë nga dy pasaporta, kur ta merrë mandatin PDK, ata nuk do të jetojnë në Kosovë”.
Ky është kërcënim dhe njëkohësisht dhunim brutal i të drejtave dhe lirive themelore të përcaktuar me kushtetutë.
Kjo është doktrina juridike perendimore e PDK-së dhe përfaqësuesve të saj.
Vërtetë, Donika Gërvalla dhe Martin Berishaj kanë të drejtën të posedojnë edhe më shumë pasaporta se sa dy dhe mund të zgjedhin lirisht se në cilin shtet do të jetojnë.
Këtë ua garanton secili akt me efekt juridik të brendshëm dhe ndërkombëtar, e jo dëshirat e përfaqësuesve të goditësve të shtetit përmes konferencave të zakonshme me përmbajtje jashtëzakonisht të dobët.