Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar drejtorin e VisaMetric, Serdal Ozdemir, për 48 orë për shkak të veprës penale “mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.
Kështu është bërë e ditur në një komunikatë për media të Prokurorisë ku thuhet se brenda afatit ligjor, prokurorja e çështjes do të ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore.
Bëhet fjalë për drejtorin, shtetas turk, Serdal Ozdemir.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 23 maj 2023– Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, ju njoftojmë se brenda afatit ligjor, prokurorja e çështjes, ndaj të njëjtit do t’i ndërmerre veprimet e mëtejme ligjore, derisa iu bëjmë të ditur se lidhur me këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështjeje penale.