Rritja e temperaturave në fillim të muajit maj i shtyu fermerët në Kosovë që të nxitojnë me mbjelljen e kulturave të ndryshme bujqësore, por, qysh në fillim, shumë prej tyre u përballën me mungesë punëtorësh.
Zenë Haradinajn, nga fshati Stanoc i Epërm i Vushtrrisë, e përcolli fati i njëjtë.
Ai thotë se u vonua me mbjelljen e specave, domateve dhe trangujve në serën e tij nga pamundësia e gjetjes së dy punëtorëve, sa i duhen aktualisht.
“Kam qenë shumë i zënë me mbjelljen e misrit dhe grurit. Në mungesë të punëtorëve jam vonuar shumë në mbjelljen e serës… por, sido që të jetë, do ta mbjell vetë”, thotë Haradinaj për Radion Evropa e Lirë.
Ai tregon se këtë vit i ka shkuar në mendje që të mos e mbjellë fare serën, pasi, siç thotë, me të njëjtën situatë është përballur edhe vitin e kaluar.
“Mua më duhen rregullisht dy [punëtorë], por shpeshherë edhe më shumë. Në kohën e vjeljeve më duhen më shumë se katër, por kush ishte për punë, ka ikur [jashtë vendit], e kush është këtu, merret me punë të tjera”, thotë ai.
Reduktimi i sipërfaqes së punuar është duke ndodhur tashmë në komunën e Rahovecit, konfirmon drejtori i bujqësisë në këtë komunë, Berat Duraku.
Ai thotë se fermerët janë duke hequr dorë nga prodhimi i perimeve, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore.
“Për shkak të mungesës së punëtorëve, shumë fermerë tanë kanë kaluar në prodhimin e drithërave. Do të thotë, na janë rritur sipërfaqet me drithëra dhe na ka rënë perimekultura”, thotë Duraku për Radion Evropa e Lirë.
Krahas perimekulturës, shton ai, janë duke rënë edhe vreshtaria dhe sektorë të tjerë të prodhimit.
“Rahoveci është i njohur për dy sektorë: perimtaria dhe vreshtaria. Vreshtaria është ajo që ka mbetur, që është e mbjellë dhe që do kujdes, ndonëse edhe vreshtaria ka filluar të bjerë në sipërfaqe, për shkak se nuk po ripërtërihen plantacionet e vjetruara. Njëjtë edhe perimtaria është duke rënë për shkak të ikjes së të rinjve”, thotë Duraku.