Raporti i organizatës Human Rights Watch për krimet e luftës në Kosovë, i cili dje në Hagë u rrënuar nga avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, më herët cilësohej si shumë i vlefshëm nga njerëzi e afër të VV-së.
Ish-këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Shkëlzen Gashi, i cili pretendon se njerëzit e UÇK-së kanë kryer krime ndaj civilëve, kishte thënë se raportet e kësaj organizate janë fort prestigjioze.
Madje, sipas tij, ato ofrojnë prova për këto krime.
“Jemi duke folur për dy organizata fort prestigjioze dhe ndërkombëtarisht prestigjioze, nuk jemi tu folë për KMDLNJ. Jemi duke folur Human Rights Watch, jemi tu folë për Amnesty International”, kishte thënë ai në emisionin Frontal të T7.
Kur gazetari i kishte thënë se këto organizata nuk kanë mandat për të treguar nëse dikush ka kryer krime, ai kishte insistuar se ato e kanë një mandat të tillë.
“Në autoritetin e tyre është”, kishte thënë Gashi.
Madje, ai kishte insistuar që të lexohet ato raporte nga të gjithë..
“Ju duhet t`i lexoni raportet e organizatave qeveritare si Human Rights Watch, Amnesty International, të cilat flasin për krime që individëve nga radhët e UÇK-së i kanë bërë ndaj civilëve të pafajshëm”, kishte deklaruar Gashi.
Tani kur Fred Abrahams i Human Rights Watch ka pranuar se burimet e raportit ishin nga pala serbe, po kërkohet llogari nga Gashi, i cili i përmendte këto raporte.
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, i cili i ka publikuar me video deklaratat e Gashit, ka thënë se ai duhet kërkojë ndjesë publike.
“Fred Abrahams e pranon që raporti i shkruajtur prej tij për Human Rights Watch ishte i pasaktë dhe i bazuar në pretendime të rreme serbe. A do të kërkojnë ndjesë publike dhe tregojnë pendesë ata shqiptarë që me zelll të papërmbajtur u bënë përhapës të këtyre pasaktësive tendencioze kundër UÇK-së?”, ka shkruar Nurellari.
Fjalët e Shkelzen Gashit mund t’i dëgjoni këtu