Hasan Krasniqit nuk ia ka lënë shenjë arrestimi në Bullgari e ekstradimi në Itali nën dyshimet për trafikim me njerëz.
Kryeshefi i Ujësjellësit të Gjakovës, ish-anëtar i Vetëvendosjes, ka shpëtuar pa pasoja në Kosovë. Tri ditë pas kthimit nga Italia, ku doli para gjykatës nën akuzat për kontrabandë me të mitur, Krasniqi është rikthyer në vendin e tij të punës.
Bordi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit ‘Gjakova’ ia ka hequr sot Krasniqit masën e suspendimit nga vendi i punës. E ka obliguar kryeshefin që të paraqitet në punë nga dita e sotme.
“Z. Hasan Krasniqi i sistemuar në vendin e punës si Kryeshef Ekzekutiv i KRU Gjakova SH.A-Gjakovë, është i obliguar që të paraqitet në punë nga dt.08.04.2024”, ka thënë Bordi i KRU Gjakovës në një njoftim për media të hënën.
“Me aprovimin e këtij vendimi nga Bordi i Drejtorëve Z. Hasan Krasniqi sot ka filluar punën e rregullt si Kryeshef Ekzekutiv pranë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Gjakova”.
Krasniqi është liruar të enjten nga gjykata italiane, ndërsa është rikthyer në Kosovë të premten.
Kryeshefi i KRU Gjakovës ishte arrestuar më 19 shkurt të këtij viti në Bullgari, në bazë të një urdhër-arresti të INTERPOL-it.
Ai ishte arrestuar nën dyshimet për trafikim me njerëz dhe ishte ekstraduar në Itali.
Hasan Krasniqi ishte asamblist nga partia Alternativa nga viti 2014 deri në vitin 2017. I njëjti në vitin 2017 nuk kishte mundur të rizgjedhej.
Në zgjedhjet e fundit lokale, ai ishte kandidat për asamble në listën e Vetëvendosjes pas marrëveshjes së nënshkruar në mes të kryetarit të kësaj partie, Albin Kurti dhe kandidates për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, njëherësh kryetare e partisë “Alternativa”.
Krasniqi është zgjedhur kryeshef në KRU “Gjakova” nga bordi i përkohshëm në KRU “Gjakova” i emëruar me 14 korrik të vitit të kaluar më një vendim të Qeverisë Kurti 2.