Opozita në Kosovë duket se i është gëzuar humbjes së krahut të Albin Kurtit në zgjedhjet presidenciale në Maqedoni të Veriut.
Pas rezultateve preleminare të raundit të parë, të cilat tregojnë humbjen e koalicionit që është përkrahur nga kryeministrit Kurti, përfaqësuesit e opozitës kanë kritikuar ashpër kryeministrit Kurti.
Ata kanë vlerësuar se me qasjen e tij Kurti përçau shqiptarët duke ua pamundësuar shkuarjen në balotazh për zgjedhjet presidenciale.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar sikur shqiptarët të bëheshin bashkë do të shënoni rezultat historik.
“Sikur shqiptarët të bëheshin bashkë, me një kandidat, ata sot do të ishin në balotazh. Do të ishte rezultat historik. Por shqiptarët u ndanë. Në këtë ndarje, Kryeministri popullist i Kosovës dhe gjithë aparati qeveritar i tij, u bënë akter aktiv. Nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë – të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka shprehur keqardhje që koalicioni VLEN u bë instrument i kryeministrit Kurti.
“Fituesit i uroj që pavarësisht sulmeve institucionale nga Kosova, ruajtën maturinë. Ruajtën Kosovën. Humbësit, le të shikojnë nga përfaqësuesit e vet që u shndërruan në instrumente populliste të një partie polarizuese që përveç terr e përplasje – nuk di tjetër. Kosova, duhet t’i rikthehet politikës unifikuese e përafruese mbarëshqiptare! Kaq duhet të jetë roli ynë normal! Të ndihmojmë jo të ndajmë. Rikuperimin e përplasjeve me shqiptarët në Maqedoni, Shqipëri e Luginë, do ta bëjmë me plot kujdes e përkushtim!”, ka shkruar Abdixhiku.