Qeveria e Kosovës ka përmbushur 47% të Programit Legjislativ sipas planifikimeve deri në fund të muajit shtator 2023, përkundër faktit se këtë program ajo e ndryshoi për më shumë se 5 herë duke e shtyrë herë pas herë afatin e miratimit të projektligjeve në qeveri.
Me 25 janar të këtij viti, Qeveria e Kosovës miratoi Programin Legjislativ për vitin 2023 me gjithsejtë 100 projektligje. Përderisa me 11 janar 2023, ajo miratoi dy projektligje ende pa miratuar programin legjislativ.
Përkundër faktit se ajo ndryshoi dhe plotësoi programin legjislativ 5 herë, duke shtyrë afatin e miratimit të projektligjeve në qeveri, përqindja e realizimit nuk e kaloi gjysmën e planifikimeve për t’u miratuar dhe proceduar për në Kuvendin e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas ndryshimeve të fundit të cilat ndodhën në mbledhjen e 154 të Qeverisë me 9 korrik 2023, ku u shtuan katër projektligje dhe iu ndryshua afati i miratimit 13 projektligjeve, kabineti qeveritar nuk arriti t’i miratojë më shumë se 45 projektligje nga 98 të planifikuara.
Numrin më të lartë të miratimit të projektligjeve e ka arritur Ministria e Mbrojtjes me 100%, Zyra e Kryeministrit me 75%, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me 75%, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural me 75%, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 63%, Ministria e Drejtësisë me 60% dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve 52%.
Nivelin nën 50% të miratimit të projektligjeve e mban Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 40%, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike me 25%, Ministria e Shëndetësisë me 25%, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me 25% dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me 20%.